Presidenti amerikan, Donald Trump do të takohet për herë të parë me homologun rus, Vladimir Putin, në kuadër të G20-tës parashikuar të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Hamburg, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë.
“Në Hamburg, presidenti do të takohet me shumë krerë”, deklaroi gjenerali H.R. McMaster, këshilltar për Sigurinë Kombëtare, duke përmendur edhe kreun rus, raporton AFP.
Duke theksuar se një prej objektivave të vizitës së Trump në Evropë ishte aplikimi i një qasjeje të përbashkët përballë Rusisë, McMaster rikujtoi gjithashtu pozicionin e presidentit amerikan në këtë çështje.
“Sikurse presidenti është shprehur, ai kërkon që SHBA-ja dhe krerët e vendeve perëndimore së bashku të zhvillojnë një marrëdhënie më konstruktive me Rusinë, por ai ka thënë gjithashtu qartësisht se do të bëjmë atë që është e nevojshme për t’iu përgjigjur sjelljeve destabilizuese të Rusisë”, shpjegoi ai.
Mes takimeve të tjera të parashikuara me rastin e G20-tës, gjenerali H.R. McMaster citoi gjithashtu ato me krerët e Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Singaporit dhe Indonezisë.