Telegrafi

Takim i tensionuar mes Juventusit dhe agjentit Mendes, Ronaldo nuk largohet falas

Sipas raporteve të shumta në Itali, Juventus i ka bërë me dije agjentit Jorge Mendes se Cristiano Ronaldo nuk do të largohet falas dhe Manchester City nuk ka paraqitur ende asnjë ofertë zyrtare për yllin portugez.

Mendes mbërriti në Torino të mërkurën dhe u takua me drejtorët e Bianconerëve sot (e enjte) në mëngjes.

Sipas gazetarit të Il Corriere dello Sport, Nicola Balice, takimi mes dy palëve ishte kërkuar nga Juventusi për të sqaruar pozicionin e Ronaldos dhe agjentit të tij.

Lexo po ashtu Ronaldo dhe agjenti Mendes prezantojnë planin e Man Cityt te Juventusi

Sipas raportit, takimi nuk ishte ‘mjaft paqësor’ pasi Ronaldo vazhdon të shtyjë për një largim nga Juventusi.

Gazetari Balice dhe gazetari i Sky Sport Italia, Gianluca Di Marzio pretendojnë se Juventusi e bëri të qartë se ylli portugez nuk do të largohet falas nga Allianz Stadium.

Në anën tjetër, sipas Romeo Agresti, drejtuesit e Juventusit, Pavel Nedved, Maurizio Arrivabene dhe Federico Cherubini morën pjesë në takimin sot dhe Bianconerët janë “të mërzitur” për të gjithë situatën.

 

Manchester City ende nuk e ka dorëzuar ofertën e tyre për Ronaldon, por sipas raporteve të shumta, ata nuk janë të gatshëm të paguajnë asnjë cent për ish-yllin e Manchester Unitedit dhe Real Madridit.

Juventusi, nga ana tjetër, dëshiron të paktën 25 milionë euro për të shitur yllin portugez, pasi çdo largim nën këto shifra do të thoshte humbje për klubin italian.

Lexo po ashtu Zbulohen detaje nga oferta e Man Cityt për Ronaldon dhe kërkesat e Juventusit për lojtarin

Ronaldo stërvitej rregullisht në Continassa këtë mëngjes. Ai ishte larguar paraprakisht dje nga seanca stërvitore për shkak të një problemi me krahun.

Juventus është i hapur për të shitur CR7, por në kushtet e tyre. /Telegrafi/