Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në Paris.
Siç shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, kryeministri Vuçiq ka bërë të ditur se së shpejti pritet të mbahet një takim ndërmjet një grupi biznesmenësh dhe politikanësh nga Serbia dhe Shqipëria.
“Takimi do të organizohet me politikanë dhe ekonomistë për dy ose tre muaj, për të parë se si Beogradi dhe Tirana dhe Serbia dhe Shqipëria mund të afrohen dhe për të arritur marrëdhënie më të mira. Kjo është e mirë për diasporën tonë, për paqen dhe stabilitetin në rajon, por dhe për ekonominë tonë”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
Ai ka theksuar se bashkëpunimi në rajon është gjithmonë i mirë për Serbinë, për shkak se Serbia me këto vende ka një suficit tregtar.
Vuçiq ka thënë më tej se kishte një bisedë plot përmbajtje me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe se në takimin e paraparë do të marrin pjesë ata të dy, si dhe njerëz të biznesit nga të dy vendet, si dhe shqiptarë dhe serbë nga Kosova.
“Ne duam marrëdhënie më të ngushta dhe më të mira dhe kemi rënë dakord për të përmirësuar bashkëpunimin në interes të serbëve dhe shqiptarëve”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se autostrada Nish-Prishtinë është prioritet, si dhe kontakti ndërmjet njerëzve të biznesit të cilët mund të punojnë dhe të ndërtojnë në Serbi dhe Shqipëri. /Telegrafi/