Site icon Telegrafi

Takim me New York Times, Trump zbut qëndrimin për klimën

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump u takua të martën me ekipin e gazetës New York Times, pas njoftimit në Twitter se kishte anuluar takimin me gazetën shpesh të kritikuar prej tij.

Në takim, Trump ka zbutur qëndrimin e tij mbi rolin e njeriut në shkaktimin e ndryshimeve klimatike, duke u shprehur se ka një lidhje mes aktivitetit njerëzor dhe ndryshimeve klimatike, por duhet parë se sa.

Më herët miliarderi ka kërkuar tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga marrëveshja e 2015 për të luftuar ndryshimin e klimës.

I pyetur nga gazetarët e New York times nëse do të tërhiqet nga pakti, Trump u shpreh se e shikon me vëmendje këtë çështje dhe se mbetet i hapur për alternativa, duke nënvizuar se duhet parë me kujdes sa do të ndikojë kjo marrëveshje në konkurrencën dhe sa do t’i kushtojë kompanive amerikane.

Sipas raportimeve në Twitter të reportereve, në takimin me gazetarë, redaktorë dhe zyrtarë të tjerë të gazetës në selinë në Manhattan, Trump tha se nuk do të hetojë rivalen e tij presidenciale Hilari Klinton mbi çështjen e debatuar të emaileve apo fondacionin humanitar të familjes Klinton.

“Nuk dua t’i lëndoj Klintonët, vërtetë nuk dua. Ajo ka kaluar një periudhë të vështirë dhe nuk dua t’i kthehem të shkuarës. Mendoj se do të ishte shumë përçarëse për vendin,” ka deklaruar Presidenti, transmeton oranews.

Gjatë fushatës së tij elektorale, republikani premtoi burgosjen e ish sekretares së shtetit. Trump ka pasur shumë fërkime me mediat gjatë 18 muajve të fushatës, duke i akuzuar një shumicë të tyre për mbështetje dhe favorizim të demokrates Klinton.

 

Exit mobile version