Këshilli i protestuesve kundër EVN-së nuk ka arritur marrëveshje konkrete me përfaqësuesit e kësaj kompanie edhe pas takimit të sotëm me përfaqësuesit e saj. Pas takimit i cili zgjati rreth 30 minuta, përfaqësuesi Arian Thaçi deklaroi se përfaqësuesit e kompanisë në këtë takim kanë dhënë vetëm shpjegime dhe jo përgjigje.
“Shumica e tyre, 99% të përgjigjeve janë shpjegime nuk janë prëgjigje, shpjegohet se kujt i takon e drejta e çmimit të rrymës për demonipolizimin e EVN-së për sende të tjera që u takojn ë qytetarëve të Maqedonisë. Kjo tregon edhe njëherë qartë se këto punë nuk i merr në përgjegjësi t’i zgjidh EVN-ja edhe pse neve fakturat na vijnë në emër të EVN-së”, ka deklaruar Arian Thaçi, përfaqësues i protestuesve.
Në takimin e sotëm, Këshillit të protestuesve të Shkupit iu bashkëngjit edhe Këshilli i Tetovës. Tahir Abdullai deklaroi se tani do të veprojnë si një trup dhe fton edhe këshillet protestuese kundër EVN-së të qyteteve tjera t’u bashkëngjiten.
Të pyetur nga gazetarët nëse do të drejtohen edhe te komisioni rregullator dhe institucionet tjera kompetente për çmimin e energjisë, ata deklaruan se qytetarëve fakturat i vijnë në emër të EVN-së dhe llogari do të kërkojnë vetëm nga kjo kompani. Ata njoftuan se protestën e radhës do ta mbajnë para përfaqësisë së EVN-së në qendër të Shkupit./Telegrafi/