Telegrafi

Takim i Ministrit Beqiri me drejtorët e bibliotekave të Kosovës

Gjatë këtij takimi u diskutua për bartjen e kompetencave të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndaj Bibliotekave Ndërkomunale tek komunat përkatëse.

Me këtë rast, Ministri Beqiri tha se ai e përkrah nismën për funksionalizimin e rrjetit bibliotekar në pajtim me prirjet për decentralizimin e pushtetit lokal, duke kërkuar nga drejtuesit e bibliotekave që të angazhohen për sendërtimin e kësaj nisme, përmes të
cilës bibliotekat e Kosovës do të mund ta harmonizojnë më lehtë veprimin dhe bashkëpunimin e tyre.

Në pajtim me këtë nismë u formua edhe komisioni ad hoc, në përbërje të përfaqësuesve të MKRS-së, të pushtetit lokal, të Ministrisë së Arsimit, dy drejtorëve të bibliotekave ndërkomunale dhe drejtorit të Bibliotekës Kombëtare e Universitare të Kosovës. Ky komision do të merret me modalitetet e modifikimit të funksionimit të këtyre bibliotekave.

Në këtë takim u diskutua edhe çështja e rifunksionalizimit të sistemit digjital bibliotekar "EX libris" dhe e parandalimit të veprimit të sistemit paralel të quajtur "Qubris".

Pjesëmarrësit e këtij takimi konstatuan se "EX libris" është fitues i një tenderi ndërkombëtar dhe, si i tillë, ky sistem kompjuterik është legal dhe duhet të përkrahet e të ketë shtrirje në gjithë rrjetin bibliotekar të Kosovës.