Site icon Telegrafi

Tajlanda vazhdon mbështetjen për Kosovën

Ministrja në detyrë për Dialog, Edita Tahiri, deklaroi sot se Kosova ka bërë progres në rrugëtimin euroatlantik dhe është një partner i besueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe botë.

Ajo gjatë një takimi me një delegacion të Ministrisë së Jashtme nga Tajlanda, vlerësoi lart marrëdhëniet dypalëshe mes dy shteteve dhe falënderoi Tajlandën për njohje dhe mbështetje të vazhdueshme për shtetin e Kosovës.

Ajo theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve me Tajlandën në sfera të rëndësishme të ekonomisë, bujqësisë, teknologjisë informative dhe këmbimin e përvojave diplomatike dhe qeverisëse.

Tahiri tha se angazhohen për të rritur njohjet dhe marrëdhëniet me vendet e kontinentit të Azisë.

Nga ana e saj, Nongnuth Phetcharatana, ambasadore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, shprehu mbështetjen e fuqishme të Tajlandës për shtetin e Kosovës, duke thënë se kanë interesim të madh për të rritur nivelin e bashkëpunimit mes dy shteteve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

“Tajlanda ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ne dëshirojmë të shohim sa më shpejt vendosjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tajlandë për të forcuar lidhjet mes dy vendeve dhe popujve. Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë dhe i gëzohemi progresit të Kosovës në integrimet ndërkombëtare dhe do t’ju mbështesim në këtë drejtim, sepse Kosova dhe populli i saj meritojnë vendin e tyre në familjen e botës demokratike”, ka thënë Phetcharatana.

Exit mobile version