Site icon Telegrafi

​Tahiri: Vetëm në dy familje janë mbi 50 të infektuar në Vushtrri

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, ka reaguar pas konfirmimit të tetë rasteve të reja me COVID-19 në këtë komunë.

Në një postim në Facebook, ka thënë se pakujdesia e një individi një muaj më herët, ka bërë që virusi të përhapet te kaq shumë njerëz, ku vetëm në dy familje të mëdha janë mbi 50 të infektuar.

“Komuna e Vushtrrisë përmes Kryqit të Kuq, gjatë vikendit ka vizituar familjet që janë në vetizolim për shkak të infektimit me Covid-19. 21 familje gjithsejtë janë vizituar, 4 nga këto nuk i kanë pranuar pakot ushqimore dhe higjienike, duke deklaruar që nuk kanë nevojë, shembull për solidaritet, ndërsa 2 familje kanë mbetur të vizitohen te hënën”, ka thënë Tahiri.

Ai iu ka bërë serish thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga përhapja e coronavirusit.

“Të dashur qytetarë, pakujdesia e një individi këtu e 1 muaj më herët, ka bërë që virusi të përhapet tek kaq shumë njerëz, vetëm në dy familje të mëdha janë mbi 50 të infektuar. Ata kanë shpërndarë virusin në mesin e familjarëve të tyre duke mos ditur që e kanë virusin sepse nuk kanë pasur simptoma.

Prandaj ju lutemi, shmangni vizitat familjare, mbajeni distancën dhe mbani maskat”, ka shkruar Tahiri. /Telegrafi/

Exit mobile version