Site icon Telegrafi

Tahiri: Vendit i duhet një kryeministër që i përgjigjet popullit

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se Kadri Veseli është kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës, i cili do t’i përgjigjet popullit dhe do të guxoj ta luftojë korrupsionin në vend.

“I vetmi lider politik që e lufton korrupsionin seriozisht, pa paralajmërim dhe me vendosmëri është Kadri Veseli, kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës. E ka bërë të qartë për të tashmen dhe për të ardhmen, se me PDK-në nuk mund të asociohet as amnistohet askush që ka aktakuzë apo dënim për korrupsion. Këtë e dëshmoi edhe dje me rastin e largimit të komisionerit të PDK-së që kishte aktakuzë për korrupsion”, ka shkruar Tahiri në rrjete sociale.

Ai tha se kandidatja Vjosa Osmani nga LDK-ja nuk mund ta luftojë korrupsionin përderisa është e varur nga Isa Mustafa. “ Përgjigje nuk mund të marrin ata që pyesin se si do ta luftojë korrupsionin Vjosa Osmani, pasi që ajo është e varur nga Isa Mustafa. Vendit i duhet kryeministër që i përgjigjet popullit e jo liderëve partiakë. Me PDK-në dhe Kadri Veselin kryeministër, s’ka dilemë. Ka qartësi, vendosmëri dhe luftë kundër korrupsionit”, ka shkruar Tahiri.

Tahiri i cili për dy vite ka udhëhequr Ministrinë e Drejtësisë, tha se kuraja e Kadri Veselit për ta luftuar korrupsionin dhe kulturën e abuzimit edhe ndaj vetë zyrtarëve të PDK-së, është shpresa që po troket dhe mesazhi i qartë se si duket qeverisja e ardhshme e drejtuar nga ai.

“Qytetarët që pyesin se si do ta luftojë Veseli korrupsionin, po marrin përgjigje nga veprimet e tij sovrane kundër korrupsionit”, ka shkruar Tahiri. Ndryshe, kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Kadri Veseli, kohë më parë ka nisur agjendën e tij kundër korrupsionit dhe nepotizmit duke filluar me largimin e njerëzve me aktakuza nga subjekti që ai drejton.

Veseli ditë më parë në një konferencë për media, kishte prezantuar edhe Paktin Kundër Korrupsionit duke i ftuar të gjithë liderët e partive politike ta nënshkruajnë atë.

Exit mobile version