Listat zgjedhore me kandidatët për deputetë të partive politike, në këto zgjedhje të parakohshme, kanë pasur disa ndryshime. Pothuajse tek secila parti politike apo koalicion ka pasur kandidatë të rinj të cilët kanë publikuar kandidaturën e tyre për deputetë.
Më këto prurje të reja, partitë arsyetohen në tubimet e tyre se do të sjellin ndryshime të mëdha në Kosovë pas zgjedhjeve, nëse të nëjtit marrin votat e popullit për deputetë.
Mirëpo sipas njohësit të çështjeve politike, Ramush Tahiri, partitë politike fusin kandidatë të rinj në listat zgjedhore për disa arsye.
Tahiri në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se një nga arsyet e partive politike për prurjet e reja në listat zgjedhore është edhe rritja e influencës së partive tek populli.
“Secila parti kur të afrohen zgjedhjet, edhe në fushatë ka dëshirë t’i marr fytyrat publike dhe fytyrat e njohura, që janë personalitete nga shkenca, nga mediat, nga arsimi, nga showbizi dhe të gjithë ata persona që e kanë një emër dhe që e kanë një personalitet të vetin. Partitë i marrin ata që ta rrisin influencën në popull që të thonë se ‘shihni çfarë njerëz kanë ardhur tek ne’, dhe njerëzit duke i votuar këto personalitete, praktikisht fiton vota më shumë partia. Gjithashtu partitë kur i marrin këta e tregojnë se kanë shtrirjen më të gjerë dhe se është e pranueshme edhe për kategoritë tjera të shoqërisë. Ndonjëherë këto fytyra të reja kanë sukses e ndonjëherë jo”, ka thënë ai.
Sipas tij, edhe personalitetet që i bashkohen partive politike para zgjedhjeve kanë disa arsye.
“Këto personalitete shkojnë tek partitë politike për disa arsye. E para mendojnë që janë më të afërt me atë parti dhe duan ta japin kontributin. E dyta arsye është sepse kanë ndonjë biznes, ndonjë punë, dhe duan të stabilizohen, duke pasur mbrojtjen e partisë, dhe duke dashur ta ruajnë atë që e kanë bërë. Arsyeja e tretë është se disa të tjerë shkojnë nëpër parti për shkak të pagave të deputetëve dhe për t’u stabilizuar. Pra janë arsye të ndryshme, por kjo ndodhë tek krejt subjektet politike”, ka theksuar ai.
Ndër të tjera Tahiri ka shtuar se të pakta janë personalitetet që i bashkohen subjekteve politike para zgjedhjeve e që qëndrojnë në to edhe më tutje.
“Personat që shkojnë në parti shumica nuk qëndrojnë. Shembull nga mediat, ose këngëtarët, zakonisht nuk qëndrojnë, sepse nuk mund ta shprehin gjithë ndikimin. Disa të tjerë si Memli Krasniqi, për shembull, ka qëndruar dhe është bërë një nga funksionarët e PDK-së. Pra interaksioni është i dyanshëm. Disa e shprehin qëndrimin e tyre, e disa i nënshtrohen partisë dhe fshihen në parti”, ka deklaruar ai.
Ndryshe Komisioni Qendror Zgjedhor në mbledhjen fundit të mbajtur ka vendosur për certifikimin e 21 subjekteve politike ku këto si total i kanë 685 kandidatë. Ndërsa sipas KQZ-së katër subjekte politike ende nuk janë certifikuar sepse janë në verifikim të të dhënave për shkak të numrit të madh të kandidatëve. /Telegrafi/