Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka shfaqur rezerva për mënyrën se si dërgohen informacionet në media nga prokuroria duke u shprehur se burimet nga organi i akuzës janë bërë njësoj si “qytetari dixhital” i opozitës.
Sipas Tahirit, kjo është shenjë e dëshpërimit të atyre që nuk pajtohen dot me rezultatet e policisë. “Fronti i së keqes ka shkuar përtej SHQUP, në segmente të caktuara të medias”, deklaroi ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në ceremoninë e prezantimit të 11 makinave elektrike në shërbim të policisë.
Për Tahirin përbaltja është shenjë se policia po ecën në drejtimin e duhur të luftës kundër krimit, një luftë që nuk luftohet në një ditë. Ai ka vënë theksin publikisht në këtë dukuri: “Jam shumë i bindur se sot ka pak nga ata që mendojnë se fronti i të keqes është brenda SHQUP. Ka shkuar shumë më tej ka shkuar në segmente të caktuar të medias, madje dhe “burime të prokurorisë” janë bërë si qytetari digjital.
Edhe sot mbase e gjejnë diçka për të synuar për të bërë pis punën e Policisë së Shtetit. Me siguri do të dalë ndonjë portal apo një konferencë e SHQUP për të hedhur pak baltë, kjo është shenjë e mirë e dëshpërimit se nuk kanë bërë dot atë që bëjmë ne dhe nuk kanë si pajtohen me rezultatet tona”.
Pavarësisht kësaj deklarate të ministrit të brendshëm, Prokuroria nuk ka reaguar, ndërsa kreu i organit qendror të Akuzës, Adriatik Llalla, ka qenë në Shkodër ku përveç vartësit të vet, ka takuar drejtorin e policisë lokale