Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka mohuar lajmet se ai ka qenë i përfshirë në incidentin e mbrëmshëm në procesin zgjedhor në degën e Lidhjes Demokratike në Vushtrri.
Tahiri në një shkrim të bërë në profilin e tij zyrtar në Facebook ka thënë se, raportimet për përfshirjen e tij në incidente janë tendencioze dhe se nuk përkojnë me realitetin.
Në shkrimin e bërë, ai ka pohuar se organizimi dhe mbarëvajtja e procesit zgjedhor sipas Statutit të LDK-së është përgjegjësi e kryetarit dhe kryesisë së Degës.
Ai ka bërë apel tek të gjithë anëtarët e partisë së tij, që në procesin zgjedhor të respektohet Statuti dhe Rregullorja zgjedhore e LDK-së.
Tahiri është zotuar se do të punojë për një LDK të bashkuar, dhe se kundërshtarët politikë janë ata që e duan një LDK të dobësuar.
Shkrimi i plotë i Tahirit
Të dashur qytetarë të Vushtrrisë, anëtarë të LDK-së,
Raportimet e portaleve që unë jam i përfshirë në çfarëdo forme në incidentin e raportuar gjatë procesit zgjedhor në degën e LDK-së në Vushtrri janë lajme të rrejshme që nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin madje mund të quhen tendencioze.
Në nëndegën prej nga e kam bazën deleguese ende nuk janë mbajtur zgjedhjet, rrjedhimisht unë ende nuk jam delegat i Kuvendit të Degës dhe sipas Statutit të LDK, kandidatura për kryetar të degës shpallet në Kuvendin e Degës pasi të jetë marrë mandati nga baza deleguese. Unë e respektojë në plotni Statutin dhe rregullat zgjedhore të LDK-së.
Organizimi dhe mbarëvajtja e procesit zgjedhor sipas Statutit të LDK është përgjegjësi e Kryetarit dhe Kryesisë së Degës.
Si kryetar i Komunës, si anëtar i LDK-së, bëjë apel tek të gjithë anëtarët e LDK-së që në procesin zgjedhor të respektohet Statuti dhe Rregullorja zgjedhore e LDK-së. Askush mbi ligjin!
LDK është shtëpia jonë, besë e shpresë për qytetarët e Kosovës dhe amanet i Presidentit Rugova andaj procesi zgjedhor duhet të kaloj në frymën e solidaritetit dhe në frymën e bashkëpunimit që LDK e ka kultivuar për tri dekada.
Asgjë nuk duan më shumë kundërshtarët tanë politik se një LDK të përçarë e të dobësuar e humbëse në Vushtrri, e në gjithë Kosovën, e ju sigurojë që unë dhe bashkëpunëtorët e mi, me të gjitha kapacitete e tona, si deri më tani, do të punojmë që LDK të jetë e bashkuar dhe përherë fituese këtu në Vushtrri dhe në tërë Kosovën, pavarësisht pozicionit brenda subjektit tone politik. /Telegrafi/