Site icon Telegrafi

Tahiri: Thirrja e shteteve të Quint-it e duhur, taksa të suspendohet derisa nuk ka politikë agresive kundër Kosovës nga Serbia

Shtetet e Quint-it në një deklaratë të përbashkët i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të rifillojnë sa më parë dialogun në mënyrë që të arrijnë një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal.

Në deklaratën e tyre të përbashkët thuhet se ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve të 90-ta dhe të ofrohet një e ardhme e sigurt dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë. Ato kanë kërkuar nga të dy dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e që për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë, ndërsa për Serbinë, ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës.

Lexo po ashtu Vendet e Quintit kërkojnë rifillimin e menjëhershëm të dialogut, kanë edhe një kërkesë për Kosovën dhe Serbinë

Njohësi i çështjeve të politikës, Ramush Tahiri, në një deklaratë dhënë Telegrafit, ka thënë se shtetet e Quint-it gjithmonë kanë pasur qëndrim të mirë karshi Kosovës dhe pavarësisë së saj.

Sipas tij për thirrja e tyre është e barasvlefshme për të dy vendet.

“Dialogu është ndërprerë tash e një vit gati, dhe fajet mund të jenë të ndryshme, por ajo që është me rëndësi tek deklarata është se Kosova duhet ta suspendoj taksën dhe Serbia duhet ta ndalë propagandën kundër pavarësisë së Kosovës, dhe kundër njohjeve. Mua më duket thirrje e mirë dhe e barasvlefshme, sepse kur është vënë taksa ka qenë për shkak të politikes agresive të Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës. Pra nëse hiqet ajo politikë agresive atëherë edhe taksa nuk ka arsye të qëndrojë, pasi që nuk ka objekt. Pra në fillim taksa ka ardhur ndoshta edhe pas mos-antarësimit në Interpol dhe pas lavdimit të ministrit Daçiq që po e bënë tërheqjen e njohjeve nga Kosova”, ka thënë ai.

Tahiri ka thënë se Kosova duhet të pranoj dhe ta suspendoj taksën.

“Kosova, siç ka thënë BE ka nevojë për dialog dhe i ka treguar arsyet për këtë. Gjithashtu edhe Serbia, dhe mendoi që dialogu duhet të fillojë shpejt dhe të zhvillohet në nivel presidentësh sepse janë aktiv dhe në funksion. Presidenti dhe Qeveria duhet ta marrin parasysh deklaratën e shteteve të Quint-it dhe të veprojnë sa më parë. Vendet e Quint-it po e shohin Kosovën dhe Serbinë si vende të barabarta dhe kërkesa është që të arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, kërkesë kjo e duhur”, ka thënë ai.

Ndryshe kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se mirëpret qëndrimin e shteteve të Quintit për zhvillimin e dialogut me Serbinë.

Veseli ka thënë se, Kosova arriti pavarësinë e saj duke pasur në krah një aleancë të fortë me Perëndimin. Ai ka theksuar se një nga temat mbi të cilat qytetarët do të duhet të vendosin në këto zgjedhje është nëse Kosova dëshiron t’i vazhdojë marrëdhëniet e saj të veçanta me aleatët tanë ndërkombëtarë, apo t’i trajtojë ata si armiq dhe të përpiqet që të mbijetojë e vetme.

Ndaj deklaratës së shteteve të Quint-it ka reaguar edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, duke thënë se, politika e jashtme e Kosovës ka qenë gjithmonë e koordinuar dhe në përputhje me pozicionin e partnerëve strategjikë, Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë që nga fillimi i viteve ’90.

Ndërsa drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën Marko Gjuriq ka reaguar pas deklaratës së vendeve të Quint-it, duke theksuar se ‘ata që shkelin marrëveshjen e CEFTA-s dhe ata që mbrojnë veten kundër anëtarësimit të paligjshëm nuk mund të trajtohen në mënyrë të barabartë në organizatat ndërkombëtare’./Telegrafi/

Exit mobile version