Telegrafi

Tahiri: Të revokohet vendimi për barnatoret në Prishtinë, po dëmtohen të moshuarit

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se vendimi për barnatoret në Prishtinë duhet të revokohet pasi sipas tij më së shumti po dëmtohen pensionistët dhe të moshuarit.

“Kjo është hera e dytë që e adresoj të njëjtin problem, i cili është bërë barrë e madhe e qytetarëve të Prishtinës, në veçanti pensionistëve, të moshuarve dhe pacientëve”, ka shkruar ai në Facebook.

Tahiri ka thënë se barnatoret e vogla nuk janë të furnizuara mjaftueshëm dhe po krijohen radhë të gjata për tu furnizuar me medikamente.

“Çfarë logjike ka një vendim i tillë, i cili detyron një të moshuar të lëviz prej Dardanisë deri te rruga B, për t’u pajisur me medikamente. Shtoja këtu edhe faktin se shumica e barnatoreve të vogla nuk janë të furnizuara sa duhet dhe radhët e gjata të cilat duhet të pritet”, ka thënë Tahiri.

“Ky vendim është skandaloz dhe duhet të revokohet:, ka shkruar i pari i deputetëve të AAK-së./Telegrafi/