Saimir Tahiri është thirrur për t’u pyetur sot në orën 9.30 te Krimet e Rënda nga gjyqtarja Liljana Baku.
Ligji parashikon thirrjen e ish-ministrit të Brendshëm brenda 5-ditëve nga zbardhja e vendimit që i ndaloi daljen jashtë shtetit dhe bllokimin e pasaportës.
Burime nga Krimet e Rënda konfirmojnë se të premten, në këtë seance përballë gjyqtares Baku, ish-ministri Tahiri do të duhet të përgjigjet për të gjitha çështjet që kanë dalë nga përgjimet e Habiljave dhe të dhënat e tjera të siguruara nga Prokuroria e krimeve të rënda.
Kështu Tahiri do të pyetet për njohjet me Orest Sotën dhe lëvizjet me automjetin Audi, nëse i ka njohur Habilajt kur i ka takuar, apo akuzat se Tahiri ka përfituar dhurata nga Habilajt.
Vendimi i gjykatës që i ndaloi Tahirit daljen jashtë shtetit, jep në mënyrë kronologjike rrjedhën e hetimit të kësaj çështje, që nisi në Shqipëri ndaj Habilajve, me veçimin e dosjes për Treblovën. Në dosjen e Treblovës përmenden për herë të parë lidhjet e policisë me narkotarfikun.
Ndërkohë, gjithmonë sipas vendimit të gjykatës së krimeve të rënda që i ndalon Saimir Tahirit daljen jashtë vendit, në Itali u ra në gjurmët e Habilajve që prej vitit 2012 pas operacionit antidrogë “Odisea”. Prokuroria përmend në kërkesën e saj përgjimet e bëra publike tashmë, ku të akuzuarit lakojnë emrin e ish-ministrit për t’i blerë një byzylyk me diamant. Prokuroria thotë se Saimir Tahiri i njeh Habilajt dhe si argument sjell daljet jashtë shtetit te tij me automjetin Audi që ndërkohë i ishte shitur Moisi Habilajt emri i Saimir Tahirit për herë të parë doli nga dosja e Habilajve e prokurorisë së Catanias.
Për të vërtetuar që përdorimi i emrit të tij ishte rastësor dhe i papërfshirë në hetime, ish-ministri i brendshëm publikoi këtë dëshmi, që sipas tij vërtetonte ai nuk është person nën hetim nga italianët. /Telegrafi/