Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës angazhim serioz, pas kërcënimit me vdekje të ish senatorit zviceran Dick Marty nga shërbimet sekrete serbe.
Ai në seancën e sotme të Kuvendit tha se heshtja e institucioneve vendore i konvenon Serbisë.
“Sot kemi ardhur në një situatë kur sponzorizuesi kryesor kërcënohet me vdekje nga ai që ka prodhuar raportin Kjo ka krijuar një momentum të ri për Kosovën, jam duke kërkuar një angazhim serioz të Kosovës në këtë çështje”.
“Serbisë i konvenon heshtja jonë, prandaj nuk mjafton deklarata dhe ne duhet me pas agjendë për këtë çështje për të nxjerr të vërtetën”, tha Tahiri.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, të martën tha se duhet të dihen shkaqet, rrethanat dhe informacionet tjera për rastin, sepse ky rast nuk ka të bëjë vetëm me “Dick Martyn, por edhe me Kosovën dhe shqiptarët”.
“Shteti dhe populli i Kosovës e kanë ditur gjithmonë se kush është Serbia, mirëpo unë shpresoj që Kuinti (Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania) në Beograd, Bashkimi Evropian në përgjithësi, ta ngrenë këtë çështje me presidentin atje dhe të gjitha organet shtetërore, sepse kjo është një akuzë e jashtëzakonshme, e cila i tejkalon përmasat individuale, e përfshin një shtet të tërë”.
Kurti ka thënë se “mënyra se si ka operuar Shërbimi Sekret serb në Evropën Perëndimore, edhe ndaj shqiptarëve, edhe ndaj kroatëve, është i njohur botërisht”.
“Duket që atë mënyrë e paskan planifikuar edhe ndaj Dick Martyt që të na fajësojnë neve”./Telegrafi/