Site icon Telegrafi

Tahiri: Të hartojmë një ligj të ri për t’i siguruar informatorët

Si asnjëherë më parë, institucionet e Kosovës kanë rritur përpjekjet për luftimin e të gjitha dukurive që cenojnë integritetin institucional.

Kështu deklaroi ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në një tryezë të rrumbullakët me rastin e shënimit te Ditës Ndërkombëtare të Informatorëve.

Ai tha se që nga viti 2003 ekziston Ligji për Mbikëqyrjen e Informatorëve, porse ka qenë tërësisht i pazbatueshëm.

“Mbrojtja e informatorëve është pjesë integrale, që nga viti 2003 ekziston një ligj për mbrojtjen e informatorëve por që figuron të ketë qenë tërësisht i pazbatueshëm. Nevoja për ta ndryshuar ligjin aktual është nevoja për të dhënë përgjigje që deri më tash nuk kanë pasur. Unë synoj që bashkë me ju të hartojmë një ligj të ri që të sigurojmë informatorët”, tha ministri.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se Kosova ka dy ligje që kanë qëndrime të kundërta, Ligji për Informatorët dhe ai për Shërbyesit Civil.

Ai tha se pjesa më e madhe e ligjeve që miratohen në Kuvendin e Kosovës janë plotësim-ndryshim i ligjit derisa e meta kryesore është fati i shkurtër deri tek miratimi i tyre.

“65 përind të ligjeve të aprovuara në Kuvendin e Kosovës kanë qenë plotësim-ndryshim. Ndërsa e meta më e madhe është se prej inicimit deri tek miratimi i tij në Kuvend është afati shumë i shkurtër, vetëm 1 vit”, theksoi ai.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli tha se ligji për mbrojtjen e Informatorëve nuk është zbatuar siç është paraparë, pasi që nuk ka marrë për bazë praktikat më të mira të informatorëve.

Porse sipas tij, ky ligj ka disa aspekte pozitive, siç është garantimi i disa të drejtave bazë.

Edmond Dunga nga Këshilli i Evropës kundër Krimit Ekonomik shprehu gatishmërinë për të mbështetur Ministrinë e Drejtësisë si bartëse kryesore të këtij projekti.

Libor Chlad nga Zyra e BE’së në Kosovë tha se BE-ja do të vazhdojë me asistencën e vet me të gjitha institucionet që japin kontribut në përmirësimin e kornizës ligjore, deri shtoi se çfarë mund të duhen ligjet kur mbesin në letër pasi që nuk zbatohen.

Exit mobile version