Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në një takim njoftues ekipin e Amnesty International, Gauri van Gulik, zëvendësdrejtoresh për Evropën , si dhe raportueset Sian Jones dhe Jelena Sesar.
Tahiri ka njoftuar për prioritetet e tij në mandatin katërvjeçar, si dhe për punën që po bëhet në harmonizimin e normave ligjore konform standardeve bashkëkohore ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.
Ministri ka përmendur punën që Qeveria ka bërë në kompensimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, duke arritur që për këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë të ofrohet trajtim i dinjitetshëm.
Në këtë rrafsh, ministri Tahiri ka premtuar se do të jetë i përkushtuar që t’iu mundësojë qasje të plotë në drejtësi.
Zëvendësdrejtoresha për Evropën në Amnesty International, van Gulik ka ofruar mbështetjen e saj për Ministrinë në përmirësimin e politikave, që do të ndihmonin Kosovën në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. /Telegrafi/