Telegrafi

Tahiri takon komandantin e KFOR-it gjeneralin D’Addario flasin për gjendjen e sigurisë në përgjithësi në Kosovë

Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Lorenzo D’Addario, ka takuar sot në Vushtrri kryetarin e Komunës, Xhafer Tahiri dhe nënkryetarin Besim Muzaqi, me të cilët kanë biseduar për zhvillimet në Vushtrri e më gjerë.

Sipas njoftimit për media, D’Addario me Tahirin kanë folur për zhvillimet dhe gjendjen e sigurisë në përgjithësi në Kosovë.

Gjenerali D’Addario, ka theksuar se është shumë e rëndësishme angazhimi i institucioneve dhe liderëve për zhvillimin e vendit, që të krijohet perspektivë për të rinjtë.

“Është shumë me rëndësi që të shikojmë kah e ardhmja për ndërtimin e paqes, dhe të hapet perspektivë për gjeneratën e re të Kosovës”, ka thënë komandanti i Forcave paqësore të KFOR-it në Kosovë, gjeneral major Lorenzo D’Addario.

Në njoftim thuhet se kreu i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri e ka njoftuar komandantin e KFOR-it për raportet e shkëlqyeshme që ka Komuna e Vushtrrisë me njësitë e KFOR-it në Vushtrri dhe për angazhimet që po bënë Komuna në sjelljen e investitorëve të huaj dhe vendor në Vushtrri me qëllim të hapjes së perspektivës për qytetarët e Vushtrrisë.

Kryetari Tahiri po ashtu ka falënderuar NATO-n dhe KFOR-in për gjithçka çfarë kanë bërë për lirinë e Kosovës, por më pas edhe për ndërtimin e paqes në Vushtrri dhe gjithë Kosovën në këto 20 vite./Telegrafi/