Ministrja për Dialog, Edita Tahiri në kuadër të vizitës zyrtare në Tiranë është takuar me ish-kryeministrin, Sali Berisha, ndërsa në takim u tha se krijimi i Ushtrisë së Republikës së Kosovës është një prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilën do ta rrumbullakojnë këtë vit.
Tahiri u angazhua që të dyja shtetet të rrisin bashkëpunimin për çështjet e interesit kombëtarë.
“Krijimi i ushtrisë së Republikës së Kosovës është një prioritet kryesor i Qeverisë së Republikës së Kosovës të cilën do ta rrumbullakojmë këtë vit”, theksoi ministrja Tahiri, duke kërkuar që përvoja e Shqipërisë në këtë drejtim t’i vihet në dispozicion Kosovës.
Ajo po ashtu tha se këmbimi i përvojave e përshpejton rrugën e Kosovës për integrim në BE, NATO dhe OKB, si dhe me ketë rast vlerësoi integrimin e sportit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Ministrja Tahiri tha se dialogu i Brukselit dhe angazhimi i Kosovës në këtë proces kontribuoi dukshëm në arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së që edhe juridikisht e futi Kosovën në procesin e integrimit evropian si dhe kontribuojë edhe në liberalizimin e vizave.
Ndërkaq, ish-kryeministri Berisha theksoi se në vazhdimësi ndjekë zhvillimet në Kosovë dhe vlerësoi progresin e arritur deri tani, duke i cilësuar si arritje të mëdha Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në UEFA dhe FIFA.
Ai potencoi se stabiliteti politik në Kosovë dhe forcimi i sundimit të ligjit janë kushte të domosdoshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe shtoi se veprimet e dhunshme të kohëve të fundit në Parlament kanë qenë të dëmshme për Kosovën.
Berisha theksoi se krijimi i ushtrisë së Kosovës i shërben paqes, stabilitetit në rajon dhe integrimit euroatlantik të Kosovës.
Ish-kryeministri Berisha potencoi në mënyrë të veçantë se të dy vendet duhet ta bëjnë prioritet fizibilitetin kombëtar në çdo projekt dhe duhet të shtyjnë përpara proceset e përbashkëta për fuqizimin e mëtejmë të kombit shqiptarë.
Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan për rëndësinë e bashkëveprimit strategjik për fuqizimin e kombit shqiptarë si dhe të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe aleatëve ndërkombëtarë, siç është aleanca me SHBA-të, NATO-në dhe anëtarësimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.
Ministrja Tahiri në këtë takim ishte e shoqëruar nga Ramiz Lladrovci, ambasador i Kosovës në Tiranë, Arjeta Rexhaj dhe Gazmir Raci, këshilltar politikë të ministres Tahiri. /Telegrafi/