Telegrafi

Tahiri takoi Drejtorin e misionit të USAID-it në Kosovë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim Drejtorin e misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope.

Sipas një njoftimi, ministri Tahiri dhe Hope njoftuan njeri tjetrin me prioritetet dhe programet e tyre, të cilat kanë për qëllim fuqizimin e sektorit të drejtësisë në Kosovë.

“Duke e vlerësuar lart partneritetin në mes Ministrisë së Drejtësisë dhe USAID-it, z. Tahiri u shpreh i gatshëm se do të vazhdoj bashkëpunimin edhe në të ardhmen, bashkëpunim ky i cili synon fuqizimin e efikasitetit të sistemit të drejtësisë, ngritjen e llogaridhënies dhe profesionalizmit të institucioneve dhe akterëve në sistemin e drejtësisë, si dhe mbështetjen e funksionimit të plotë të sistemit gjyqësor në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

“Po ashtu, z. Hope vlerësoi lart prioritetet e Ministrit Tahiri, u shpreh i kënaqur për partneritetin dhe bashkëpunimin e ofruar nga ana e tij dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar këtë bashkëpunim të ngushtë me masa dhe hapa konkret dhe programor”, bëhet e ditur në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë. /Telegrafi/