Site icon Telegrafi

Tahiri takoi drejtorin e AKK-së, flasin për luftën kundër korrupsionit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit,  Shaip Havolli, me të cilin kanë biseduar lidhur me bashkëpunimin institucional në luftën kundër korrupsionit.

Ministri Tahiri gjatë takimit e ka informuar Havolli për ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit kundër korrupsionit, me theks të veçantë për Koncept Dokumentin për fushën e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe për deklarimin, prejardhjen e pasurisë, që do të fuqizojnë rolin e Agjencisë në hetime penale dhe administrative.

“Janë të domosdoshme përpjekjet e përbashkëta nga Agjencia Kundër Korrupsionit dhe mekanizmat tjerë të sistemit të drejtësisë që kanë për mision luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që të ndërtohet një sistem i fuqishëm institucional që prodhon rezultate konkrete në këtë luftë dhe përfundimisht krijon dhe rritë besimin tek qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka theksuar ministri Tahiri.

Ndërkaq, siç thuhet në njoftim Havolli ka shprehur përkushtimin e Agjencisë që të marrin pjesë aktivisht në ndryshimet e legjislacionit, duke shprehur përkushtimin që edhe në të ardhmen të thellojnë bashkëpunimin. /Telegrafi/

Exit mobile version