Site icon Telegrafi

Tahiri: Sundimi i ligjit po merr qasjen dhe drejtimin e duhur

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorë dhe shefa të misioneve diplomatike të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilët i ka informuar për masat që po ndërmerr kjo ministri në adresimin e gjetjeve të raportit të progresit të Komisionit Evropian.

Sipas njoftimit për media, ai ka theksuar se raporti ka vlerësuar progresin në reformat legjislative dhe po ashtu hapat e ndërmarra në konsolidimin e sistemit të drejtësisë.

Përveç ndryshimeve normative, ministri Tahiri ka theksuar se raporti flet edhe për rritjen e numrit të stafit gjyqësor në prokurori dhe gjykata, përfshirë edhe në Prokurorinë Speciale.

“Pas investimeve në gjyqësor dhe sistemin prokurorial përmes rritjes së buxhetit, sot Republika e Kosovës ka arritur kuotat sipas standardeve evropiane për numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për kokë banori. Ky investim do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe presim një planifikim adekuat për nevojat e KGJK dhe KPK-së të cilat do t’i mbështesim vazhdimisht”, tha ai.

Sipas ministrit Tahiri, raporti vlerëson iniciativat e Ministrisë së Drejtësisë, Rishikimi Funksional i Sundimit të Ligjit dhe Agjenda “Drejtësia 2020”, si mekanizëm për koordinimin institucional në funksion të zbatimit të ligjeve në fuqi.

Në njoftim thuhet se përveç ndryshimeve të bëra në Shërbimin Korrektues dhe Sprovues, ministri Tahiri ka përmendur edhe ndryshimet që po bëhen në legjislacionin dhe mekanizmat e luftës kundër korrupsionit.

Në këtë drejtim, ndryshimet mundësojnë instrumente më të fuqishme, sipas ministrit Tahiri, për arritjet e rezultateve më të mira.

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të vazhdojë të prodhojë rezultate të përgjithshme në secilin drejtim dhe kemi ende shumë punë për të bërë. Por ajo çfarë është e sigurt është se sot, pas miratimit të reformave legjislative, organet e pavarura të zbatimit të ligjit kanë në duar instrumente të fuqishme për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar në një nivel krejt tjetër nga ajo çfarë është dëshmuar deri më sot” ka thënë ministri Tahiri.

Sundimi i ligjit, sipas ministrit Tahiri, por merr qasjen dhe drejtimin e duhur, duke qenë afër fizionomisë së plotë të Shtetit të së Drejtës.

“Personalisht, si ministër i Drejtësisë jam përpjekur që sundimi i ligjit të marrë qasjen dhe drejtimin e duhur. Me ligjet që kemi reformuar dhe të tjerat që janë në proces, besoj se Republika e Kosovës nuk ka qenë kurrë më afër fizionomisë së plotë të shtetit të së drejtës”, ka thënë ai./Telegrafi/

Exit mobile version