Site icon Telegrafi

Tahiri: Subjektet politike të reflektojnë mbi kërkesën e PDK-së dhe të hapet rruga për zgjedhjet e parakohshme

Shefi  i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se mbështesin nismën e AAK-së, për votimin e një rezolute ku nxirret mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë.

Tahiri para mediave tha se zgjedhjet duhet të ndodhin sa më parë, transmeton Telegrafi.

“Sot grupi PDK i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së AAK-së, ku në rend dite ishte një debat, e  fund do të ishte votimi i një rezolute ku kërkohej dorëheqja e qeverisë, apo të nxirret mocioni i mosbesimit. PDK do ta votojë këtë nismë. Kemi një shumicë e cila nuk ka as votat për të votuar projektligjet që kërkohen me shumicë të thjeshtë”, tha ai.

Tutje, Tahiri bëri thirrje që subjektet politike të reflektojnë dhe të hapet rruga drejt zgjedhjeve.

“Bëjmë thirrje subjekteve politike parlamentare të reflektojnë mbi kërkesën e PDK-së, hapja  e rrugës së zgjedhjeve të parakohshme përmes shpërbërjes së Kuvendit duhet të ndodhë me 2/3 e votave”, potencoi ai.

Sipas Tahirit, puna e këtij kuvendi tashmë ka degraduar. /Telegrafi/

Exit mobile version