Site icon Telegrafi

Tahiri: S’do të heqim dorë nga Komisioni Hetimor për kontratat njëburimore

Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se kjo parti nuk do të heqë dorë nga themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për kontratat njëburimore.

Këto deklarata, Tahiri i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, transmeton Telegrafi.

“Pushteti vazhdon të refuzojë themelimin e këtij komisioni i cili është shumë i rëndësishëm sepse po flasim për rreth 220 milionë eurove që janë shpenzuar për dy vjet. Ne ua kemi bërë me dije që nuk do të heqim dorë nga ky proces edhe në seancat e tjera do ta propozojmë sërish themelimin e këtij komisioni”, tha ai.

Gjithashtu, ai ka deklaruar se ditët në vijim do të iniciojnë kërkesën për shpërbërjen e Kuvendit.

Sipas tij, afati i fundit për shpërndarjen e legjislaturës së tetë është fundi i muajit prill, kësisoj do të mundësohej që në muajin qershor të mbahen zgjedhjet e parakohshme./Telegrafi/

 

Exit mobile version