Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri thotë se rritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndikon në shtimin e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Krahas bazës ligjore dhe pavarësisë së plotë për të mbrojtur ligjshmërinë mbi të cilën zhvillohet një shtet bashkëkohorë, tani e tutje gjyqtarët dhe prokurorët tanë do të kenë pagat më të dinjitetshme në rajon. Natyrisht kjo rrit edhe pritjet tona për shtim të efikasitetit në angazhimin e tyre për zbatimin e mirëfilltë të ligjit, luftën e pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe qasjen në drejtësi kuptimplote dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Tahiri në një postim në Facebook.
Ministri Tahiri thotë se rritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të shihet si investim “drejt përmbushjes së pritjeve të qytetarëve tanë për një gjyqësor efikas, të pavarur dhe llogaridhënës”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë vendim që të rrisë pagat për kabinetin qeverisës. Me rritjen e pagave për zyrtarët e Qeverisë, rriten edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Vendimi për rritjen e pagave për Qeverinë ishte pezulluar për një kohë dhe lënda ishte dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Por, më 11 qershor, Kushtetuesja doli me interpretimin se vendimi për rritjen e pagave nuk ishte jokushtetues. /Telegrafi/