Ministrja për dialog, Edita Tahiri ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili e akuzoi atë lidhur me disa ultimatume lidhur me bisedimet e temave për gjenocid, dëme të luftës, demarkacionin si dhe njohjen e Kosovës.
Tahiri ka deklaruar se Serbia nuk mund ta ndryshoj të kaluarën e vet gjenocidëbërëse, mirëpo mund ta ndryshoj të ardhmen e vet duke u transformuar në një vend evropian. “Historia nuk mund të ndryshohet por ardhmja mundet, dhe këtë Serbia mund ta bëjë, por për këtë i duhen lider vizionar proevropian dhe properëndimor”, është shprehur ajo.
Më tej, ministrja, njëherësh udhëheqësja e dialogut teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thotë se nëse është e vërtetë deklarata Dacicit se “do të braktisë synimet e tij për të ndaluar anëtarësimin e Kosovës në organizatën e OKB-së, atëherë ky mund të jetë një hap i mirë për të ardhmen e vet Serbisë dhe për stabilitetit dhe paqes në Ballkan, si dhe mund të kontribuoj në normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore me shtetin e Kosovës.
“Në këtë kuadër janë edhe synimet e Dialogut të Brukselit, që ndihmojnë dyja shtetet edhe Kosovën edhe Serbinë, që duke krijuar marrëdhënie të mira fqinjësore të plotësojnë kushtin evropian për fqinjësi të mirë në rrugën e tyre të integrimit evropian. Nëse Serbia e ka seriozisht synimin për integrimin evropian, atëherë e din se ky proces nuk bëhet me fjalë por me punë, jo me standarde të dyfishta por me standarde evropiane, dhe në veçanti jo duke i shkelur marrëveshjet e Brukselit por duke i zbatuar ato”, është shprehur ajo.
Sipas Tahirit, Serbia nuk mund të bind askënd me manipulime dhe trillime politike për gjoja ultimatume, fjala është për obligime që vet i ka marrë në Bruksel përmes nënshkrimit të marrëveshjeve prandaj dhe duhet ti zbatoj. Daçiq duhet ta bëjë të njohur për publikun serb kapitullin 35 me të cilën BE e kushtëzon Serbinë që ti zbatoj marrëveshjet e Brukselit, nëse dëshiron përparim për integrim në BE, kjo do tju ndihmonte që të gjithë atje ti kuptojnë më mirë obligimet zbatuese nga Dialogu i Bruskelit.
“Ndërsa temat për fazën vijuese të dialogut që i ka propozuar Kosova, një ditë do ti propozoj edhe vet Serbia sepse do ti duhen për integrimin evropian. Kjo për arsye se shtetet që kanë pasur luftë mes vete mund të vendosin paqen mes vete, siç kanë bërë shtetet tjera në botë që kanë pasur luftë me njëra tjetrën, vetëm mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare. Vendosja e paqes mes shteteve është e përcaktuar me të drejtën ndërkombëtare dhe jo nga shtetet individuale, dhe sipas të drejtës ndërkombëtare janë temat si reparacionet e luftës, sukcesioni përkatësisht ndarja e pasurisë nga zhbërja e shtetit të kaluar, pastaj demarkacioni i kufirit dhe në fund njohja mes shteteve”, ka thënë Tahiri.
Në fund, ministrja për dialog ka thënë se tani është koha e zbatimit të marrëveshje dhe Dacici dhe gjithë zyrtarët e Serbisë duhet të punojnë në zbatimin e marrëveshjeve që i kanë bllokuar tash një kohë të gjatë. Ndërsa për temat e fazës vijuese kemi kohë ti adresojmë atëherë kur u vjen koha. “Nëse Serbia mendon se duke polemizuar për gjërat që i takojnë të ardhmes mund ti mbuloj dështimet në zbatimin e marrëveshje e ka shumë gabim. Me këtë qasje vetëm mund ta bllokoj veten në rrugën evropiane”, është shprehur ajo./Indeksonline/