Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Tahiri ka folur për vonesat e pagesave prej 170 euro nga Pakoja Emergjente Fiskale, ku rreth 20 mijë përfitues ende nuk i kanë marrë si pjesë të parë dhe për ekzekutimin e tyre për pjesën e dytë.
Tahiri ka thënë se qysh sot do të merret me këtë çështje.
“Çdo vendim shtetëror, është obligim shtetëror. E kemi parasysh shqetësimin e madh qytetarë për vonesat. Ajo që mund të them është se ekzekutimi dhe përmirësimi do bëhet sa më parë. Shpresojë shumë, qysh pasdite, pas agjendës në terren, do ulemi me kryeministrin Avdullah Hoti, ministren e Financave, Hykmete Bajrami dhe të shohim se ku ka mbetur kjo çështje që është shqetësim i madh qytetarë. Ajo çfarë mund të them është se duhet të jemi realist dhe mos të premtojmë data por me programacion qeveritarë, njerëzve tua kryejmë obligimet”, deklaroi Tahiri për Radio 1.
Ai nuk ka dashur të komentojë debatin që po zhvillohet në seancën e Kuvendit të Kosovës mbi keqpërdorimet e mundshme të qeverisje së shkuar gjatë pandemisë, por se ka reaguar tek gjesti i mospranisë së tyre në pranim-dorëzim të detyrave qeveritare nga ana e ish-kryeministrit Kurti.
“Nuk do doja të merresha tani me këtë çështje. Ne shumë shpejt do ta kemi programin tonë qeveritar para Deputetëve e ku përfshihet edhe Pandemia dhe pas-Pandemia. Ajo çfarë doja të theksoja është se për memorien qeveritare nuk ka qenë me vend mos dorëzim-pranimi i detyrave, megjithatë mbetet në zgjedhjen e Kurtit”, shtoi ai.
Me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transferëve, ishte miratuar Pakoja Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.65 milionë euro për t’i ndihmuar bizneset dhe individët që ta tejkalojnë këtë kohë të pandemisë. /Telegrafi/