Site icon Telegrafi

Tahiri: Qeveria filloi të flasë për rrymën kur nisën reduktimet, qytetarët do ta paguajnë 100 për qind më shtrenjtë energjinë

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka thënë se Qeveria ka filluar të flasë për rrymën në momentin kur kanë nisur reduktimet dhe se qytetarët do ta paguajnë 100 për qind më shtrenjtë energjinë elektrike.

Tahiri këto komente i ka bërë në seancën plenare ku po diskutohet për krizën energjetike në vend.

“Qeveria e jonë ka filluar të flasë për rrymën momentin kur kanë filluar reduktimet. Pra, fillimisht është dashur të ndalet rryma për t’u dhezur Qeveria e jonë, e kur është dhezur kryeministri Kurti atëherë është dhezur KEK-u, KEDS-i, ZRRE-ja e kushdo dhe na dhanë dy alternativa. Mundësia e parë është shtrenjtimi prej 100 për qind e energjisë elektrike dhe alternativa e dytë reduktimet si në kohën e pasluftës. Asnjëra nga këto nuk është e pranueshme për qytetarët e Kosovës”, tha Tahiri, përcjell Telegrafi.

Ai ka shtuar se thirrja e kësaj seance është papërgjegjësi e Qeverisë së Kosovës dhe se kriza i ka goditur rëndë qytetarët.

“Thirrja e një seance është një përgjegjësi të opozitës por edhe një papërgjegjësi të madhe të Qeverisë. Kur ka një diskutim të tillë, kryeministri Kurti nuk ka kurajën të jetë prezentë në seancë. Këtë vit është paralajmëruar që të ketë rritje të çmimit të rrymës dhe institucionet tona kanë qëndruar indiferent ndaj kësaj situate. Jemi këtu për t’u ballafaquar me Qeverinë karshi kësaj krize, ku është shpërfillur ku deri goditi drejtpërdrejt qytetarët”, shtoi ai.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në këtë seancë të jashtëzakonshme, janë duke diskutuar lidhur me paralajmërimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Kjo seancë është thirrur nga PDK-ja, në koordinim edhe me partitë tjera opozitare, LDK-në dhe AAK-në. /Telegrafi/

Exit mobile version