Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kundërshtuar sërish Projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, i cili u miratua dje në lexim të parë në Kuvend.
Sipas tij, përpjekja e Qeverisë Kurti për ta bërë një ligj që synon të hetojë krimet që ndërlidhen me luftën deri me datën 31 dhjetor 2000, është përpjekje që i shkon përshtat pikërisht atyre që janë përgjegjës për gjenocidin në Kosovë.
“Çfarë “krimesh të luftës” po synon të hetojë Albin Kurti pas përfundimit të luftës në qershor të 1999?! Si mund të kryhen “krime të luftës” pasi që lufta të ketë marrë fund? Serbia ka kryer krime lufte e gjenocid në Kosovë deri në qershor të vitit 1999. Hulumtimi i krimeve të luftës duhet të vazhdojë e të institucionalizohet. Por përpjekja e Qeverisë së Albin Kurtit, për ta bërë një ligj që synon të hetojë e hulumtojë “krimet” që ndërlidhen me luftën deri me datën 31 dhjetor, 2000, është përpjekje që i shkon përshtat pikërisht atyre që janë përgjegjës për gjenocidin në Kosovë”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje, Tahiri ka thënë se 31 dhjetori i 2000-tës, është ‘epitomë’ e Serbisë që përpiqet t’ia ndërrojë kahjen historisë dhe të gjejë amnisti për gjenocidin e kryer.
“Ne do ta kundërshtojmë me çdo mjet politik tjetërsimin e historisë përmes ligjeve të dëmshme, antihistorike e antikombëtare”. /Telegrafi/