Site icon Telegrafi

Tahiri: Pozitën e zëvendëskryeministrit të parë nuk e shoh si privilegj por si përgjegjësi ndaj vendit e shoqërisë

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Tahiri, marrjen e pozitës së re në Qeverinë Hoti, e ka quajtur privilegj dhe përgjegjësi, duke premtuar se do të punojë për interesa të vendit.

Tahiri ka thënë se do të angazhohet e të mos kufizohet në dallimet politike e konceptuale, transmeton Telegrafi.

“Me besimin e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e të Kryeministrit Ramush Haradinaj nga sot do të mbajë pozitën e zëvendëskryeministrit të parë. Këtë pozitë, nuk e shoh si privilegj por si përgjegjësi ndaj vendit e shoqërisë. Përcaktimi im është angazhimi politik e profesional me synim të qartë në shërbim të institucioneve dhe shtetit. Do të angazhohem si përherë, të mos kufizohem në dallimet politike e konceptuale, përkundrazi do të kultivojë vlerën e bashkëpunimi”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Zëvendëskryeministri ka thënë se do të “vazhdoj ta kultivojë debatin përmbajtjesor, konsultimin e përhershëm dhe bashkëpunimin pa dallime në funksion të punëve të mira që mund t’i bëjmë së bashku”.

“Si shtet dhe shoqëri, e kemi domosdoshmëri të marrim më të mirën nga secili, duke sjell sinergji në funksion të progresit, zhvillimit dhe synimeve tona të përbashkëta euro-atlantike”.

Ndryshe, sot në Kuvendin e Kosovës me 61 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim është votuar Qeveria Hoti./Telegrafi/

Exit mobile version