Telegrafi

Tahiri: Po funksionalizohet Projektligji i munguar për Qeverinë e Republikës së Kosovës

Koordinatori Nacional për Referoma shtetërore, Besnik Tahiri, ka njoftuar se Grupi Punues ka përfunduar punën në hartimin e Projektligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Tahiri në një postim të tij në rrjetin social Facebook ka shkruar se ky projektligj i përmbush të gjitha standardet e qeverisjes së mirë dhe i adreson problemet që tani e më shumë se një dekadë i kanë munguar vendit.

Sipas tij, ky projektligj synon t’i ndal problemet e keqpërdorimit të detyrës zyrtare gjatë ushtrimit të detyrave qeveritare

“Grupi Punues ka përfunduar punën në hartimin e Projektligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Besoj shumë që ky Projektligj i përmbush të gjitha standardet e qeverisjes së mirë dhe i adreson problemet që tani e më shumë se një dekadë në mungesë të këtij Ligji e kanë penguar funsionalitetin e plotë qeveritar dhe mirëqeverisjen ne Kosovë. Po ashtu, përherë të parë që nga shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ky projektligj synon t’i ndal problemet e keqpërdorimit të detyrës zyrtare gjatë ushtrimit të detyrave qeveritare duke i mënjanu dykuptimësitë ligjore dhe duke adresuar në mënyrë të saktë përgjegjësitë e secilit anëtar të Qeverisë”, ka shkruar Tahiri.

Ai po ashtu thotë se ka nderin që në këtë proces të punoj bashkë me një grup të ekspertëve ligjor nga ZKM dhe ministritë e ndryshme.

“Ndërsa një falënderim i veçantë i shkon edhe disa instituteve dhe organizatave jo-qeveritare që ndihmuan këtë proces kaq të rëndësishëm për plotësimin e kuadrit ligjor të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar tutje në Facebook, Besnik Tahiri. /Telegrafi/