Kordinatori Nacional për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka komentuar tërheqjen e Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike në mbledhjen e Qeverisë.
Tahiri në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se presioni publik i shoqërisë civile dhe mediave është instrument kyç i demokracisë.
Sipas tij, Qeveria Haradinaj është e hapur për diskutim dhe konsultim përmbajtjesor.
“Në mbledhjen e 108 të Qeverisë së Republikës së Kosovës është tërhequr Projektligji për Financimin e Subjekteve Politike. Ky vendim është marrë pas ndërhyrjeve që i janë bërë këtij projektligji në procesin e amandamentimit dhe pakënaqësive të shfaqura nga shoqëria civile për deformim të procesit.
Projektligji i dërguar nga Qeveria për miratim ka qenë në përputhje me parimet dhe standardet e financimit të subjekteve politike si dhe ka marr për bazë rekomandimet e Komisionit të Venedikut. Duke qenë se tani jemi në pikën fillestare, është shumë me rendësi që tani konsultimi të jetë më i gjerë dhe procesi të kornizohet në kuadër të parimeve dhe standardeve evropiane.
Presioni publik i shoqërisë civile, mediave është instrument kyç i demokracisë. Në të njëjtën kohë, është e domosdoshme përfshirja e tyre në procesin e hartimit të legjislacionit që ndihmojnë në demokratizimin e brendshëm të subjekteve politike, rritjen e llogaridhënies dhe transparencës si atribut i rëndësishëm për demokratizimin e vendit. Sa më i madh që është kontributi në demokratizimin e subjekteve politike, aq më të larta janë kredencialet demokratike të shtetit.
Qeveria Haradinaj është e hapur për diskutim dhe konsultim përmbajtësor. Mos të lejojmë edhe njëherë kthimin mrapa të këtij Ligji”, ka shkruar në Facebook, Tahiri./Telegrafi/