Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se është e pabesueshme se si krerët e shtetit marrin pjesë në konferenca ndërkombëtare, në takime në shtete të ndryshme, në vizita bilaterale dhe për çudi e habi nuk ka asnjë përfitim për qytetarët e Kosovës.
Sipas tij, për dy vjet të Qeverisë Kurti qytetarët po marrin vetëm fjalë, premtime boshe dhe reflektim për atë që ka ndodhur qe 20 vjet.
Tutje, Tahiri ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka qenë për tri javë në Amerikë, ka premtuar investime e korporata, por nuk ka ndodhur asgjë.
“Nuk po ndodh, tash e dy vjet asgjë, koha kur një lider i shtetit del në një fotografi dhe tregon që takoi dikë, është kohë e tejkaluar. Secili prej nesh, ka një kohë të gjatë që e organizon një takim e bënë një fotografi, e merr një buzëqeshje e edhe një shtrëngim dore, por çka po merr qytetari i Kosovës”.
“Për dy vite, qytetari i Kosovës po merr vetëm fjalë, premtime boshe dhe reflektim se çka ka ndodhë qe 20 vjet. E pabesueshme, por e vërtetë!”, ka shkruar deputeti në Facebook.
Ndryshe, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti ndodhen në Mynih të Gjermanisë, ku po mbahet Konferenca e Sigurisë. Atje dy krerët e shtetit kanë takuar shumë figura politike, ndërsa Kurti ka takuar edhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak dhe disa senatorë amerikanë. /Telegrafi/