Kryesia e Kuvendit ka vendosur të mbajë seancë të enjten tjetër, me vetëm një pikë të rendit të ditës, interpelancën e ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Ai do të jetë në interpelancë, për rishikim të buxhetit dhe rritjen e pagave.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka bërë të ditur se kjo ka qenë kërkesë e partisë së tij.
“Të enjten do të mbahet një seancë e rregullt me një pikë të rendit të ditës, me interpelancën për ministrin e Financave, të cilën e ka kërkuar AAK. Kërkesa jonë bazohet në dy çështje të rëndësishme. E para lidhet me bllokimin total që qeveria e Kosovës ia ka bërë investimeve publike kapitale në vend. Është e pashpjegueshme të shpërndahen paratë e taksapaguesve në forma të ndryshme dhe të bllokohet një proces i tërë i investimeve kapitale në komuna dhe në nivel qendror”, tha ai, derisa shtoi se edhe infrastruktura rrugore dhe ajo institucionale janë në kolaps, raporton kp.
Ai ka bërë të ditur se rritja e koeficient prej 105 në 129 euro, mbetet kërkesë e tyre.
“Si kërkesë të dytë në këtë interpelancë e kemi kërkesën tonë për rritjen e koeficientit në 129 euro nga 105 euro. Kjo ka qenë kërkesa jonë dhe amendamenti ynë kur është përpiluar buxheti. Koeficienti prej 105 euro e dëmton secilin zyrtar veç e veç dhe me inflacionin që e kemi ne rekomandojmë që ky koeficient të përshkruhet si koeficient për të rregulluar sadopak këtë ligj”, tha ai.