Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, pas takimit të tretë të bordit në kuadër të agjendës ‘Drejtësia 2020’, ka mbajtur ka thënë se në këtë takim është diskutuar për çështjet si rritja e numrit të noterëve në Kosovë, dhe fillimi i implementimit të ligjit të ri.
“Nga kjo e premte MD do ta hap konkursin për noterë, dhe pas dy muajve do të ketë noterë në çdo komune. Ashtu siç e kemi përgatitur edhe me formulën e re, një noter në 10 mijë banorë. Po ashtu edhe në komunat që nuk ka pasur noter si ato me shumicë serbe. Çdo qytet i Kosovës do të ketë numrin e nevojshëm të noterëve konform ligjit në fuqi. Po ashtu diskutuam për ndërmjetësuesit ku jemi në proces të implementimit të ligjit të ri që caktojnë ndërmjetësuesit”, ka thënë ai.
Sipas tij do të themelohet edhe departamenti special, dhe themelimi i mekanizmave për përgjegjësi disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ndërsa kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Skënder Çoçaj, ka thënë se në këtë takim me ministrin Tahiri kanë folur për krijimin e departamentit special brenda Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Ne i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet. Këshilli Gjyqësor planifikon që deri në qershor të bëjë të gjitha planifikimet që ky depertament të funksionalizohet”, ka thënë Çoçaj.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, theksoi se njëra prej çështjeve që është diskutuar sot është disiplinimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Kemi bërë një avancim të kësaj çështje pasi KPK dhe KGJK i kanë bërë draftet në lidhje me këtë”, ka thënë ai./Telegrafi/