Telegrafi

Tahiri: Nuk do të pranoj asnjë gjyq politik

Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri në një deklaratë për mediat pasi ka dalë nga mbledhja e Këshillit të Mandateve tregoi edhe një herë gatishmërinë për t’u hetuar, duke u përgjuar apo kontrolluar banesën, por ritheksoi edhe një herë se nuk ka ndërmend të pranojë një gjyq politik dhe pranga politike.

Pasi e cilësoi një estradë të paralajmëruar atë që ndodhi në këshillin e mandateve me kërkesën e prokurorisë, Tahiri i ftoi përfaqësuesit e akuzës t’i paraqisnin qoftë edhe një provë të vetme që e implikon atë në veprimtari kriminale, ndërsa shtoi se është e papranueshme të të thonë shko një herë në burg dhe pastaj  provojmë në je fajtor apo jo.

“Besoj se të gjithë e patë ç’lloj estrade ishte kjo, që nuk është edhe aq e paparalajmëruar. Jam i vendosur të mos dorëzohem asnjë sekondë. Kjo që ndodhi sot dhe që ka ndodhur dje, nuk ka ndodhur as në komunizëm dhe as fashistët nuk e kanë bërë! Të të thonë shko në burg dhe pastaj na provo që nuk ke marrë 5 mln euro në muaj, kjo është estradë. Të sjellin një provë të vetme dhe nëse nuk sjellin dot një provë, le të vijë Saliu dhe nëse nuk vjen Saliu, le të vijë djali i Saliut, që la 26 njerëz të vdekur në Gërdec. Nëse nuk vijnë këta, le të vijë Ilir Meta, le të vijë Monika Kryemadhi, le të vijë Lulzim Basha. Le të përballen njëherë me drejtësinë këta!”, tha Tahiri.