Ministri i Drejtësisë në detyrë dhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se edhe në të kaluarën sondazhet PDK-në e kanë vendosur të tretën apo katërtën.
Tahiri, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se PDK nuk do të jep më vota për ndonjë kandidat tjetër pos Kadri Veselit dhe sipas tij zhvillimet në partitë tjera nuk përbëjnë ndonjë interes.
“Ne nuk udhëhiqemi nga ajo që mund ndodh mes LDK-së dhe Vetëvendosjes. Ne kemi përcaktimin tonë dhe nuk na bëjnë përshtypje ato që ndodhin mes tyre”, tha ai, përcjell Telegrafi.
“I siguroj të gjithë qytetarët se PDK nuk do të bëj koalicione me partitë që janë në Parlament”.
Ai ka thënë se nëse LDK dhe VV të ishin të sigurta se do të fitonin të vetme përballë PDK-së, pse do të ishte e nevojshme bashkimi në një koalicion.
Tahiri thotë se pikërisht PDK-ja ka bërë reformë kundër korrupsionit dhe ka luftuar skemat korruptive në shëndetësi.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së ka thënë se të gjithë ata që kanë probleme me ligjin nuk do të mund të futen në listën e PDK-së për deputetë.
“Madje edhe me partitë që do të bëjmë koalicion pas zgjedhjeve, do t’ua refuzojmë personat që kanë probleme me ligjin që të futen në qeveri”.
Tahiri thotë se me partitë parlamentare që ishin në legjislaturën e fundit nuk do të bëjnë koalicion por janë të hapur për koalicione me partitë që kanë qenë jashtë kuvendit si Lëvizja për Bashkim apo Partia e Drejtësisë. /Telegrafi/