Në mbledhjen e sotme të thirrur nga kryeministri i dorëhequr, Ramush Hardinaj, është diskutuar për epilogun që duhet t’i jepet çështjes së zgjedhjeve.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se nuk ka buxhet për organizim të zgjedhjeve.
“Viti 2019 nuk ka qenë vit kalendarik i zgjedhjeve, si rrjedhojë edhe nuk janë paraparë edhe mjete të ndara për KQZ-në. Rrjedhimisht nuk kemi pasur dhe nuk kemi buxhet të ndarë për KQZ-në, pra s’kemi mjete të mjaftueshme nëse shkojmë në zgjedhje. Kemi ardhur në një situatë si Qeverisë që kemi me pas obligim me i nda mjetet financiare për Komisionin Qendror Zgjedhor, qysh kemi ndarë gjithë, sepse nuk është vit kalendarik siç kanë qenë të planifikuara zgjedhjet, pas dy vitesh”, ka thënë Tahiri.
Tahiri, i është drejtuar ministrit të Financave, Bedri Hamza, që të sqarojë çështjen e buxhetit për KQZ-në.
Edhe Hamza, e ka mbështetur deklaratën e Tahirit.
“Ky nuk ka qenë vit zgjedhor dhe brenda KQZ-së nuk ka fonde për mbajtjen e zgjedhjeve”, tha Hamza.
Sipas tij, ka një fond brenda Ministrisë së Financave ku ligji e autorizon ministrin që këto mjete mund t’i bartë në një organizatë tjetër buxhetore.
Ai ka thënë se për me ndodh një transfer i tillë i mjeteve, duhet fillimisht me u shpallë zgjedhjet.
Pas kësaj ka thënë ai, KQZ duhet të bëjë kërkesë të specifikuar për mjete.
“Dhe në bazë të kërkesës, ministri mundet të bëjë transferimin e mjeteve, por edhe ministri duhet të kërkojë qartësi rreth kësaj çështje”, ka thënë ndër tjerash Hamza.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj dhe dy ministrat e lartcekur kanë kërkuar që partnerët e koalicionit të ulen të bisedojnë dhe të marrin një vendim për shmangien e zgjedhjeve./Telegrafi/