Site icon Telegrafi

Tahiri: Nëse LDK kësaj radhe nuk ka unitet për kandidatin për kryeministër, atëherë e merr teposhtën

Lidhja Demokratike e Kosovës sot pritet të mbajë mbledhje ku do të diskutohet për kandidatin për kryeministër nga radhët e kësaj partie.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa.

“Sot kemi takime në LDK, nuk kemi takime me parti tjera. Takimin do ta mbajmë në orën 14:00 ku do të diskutohet për kandidatin për kryeministër”, ka thënë ai.

Ndonëse deri më tani është përfolur emri i Vjosa Osmanit, si kandidate potenciale për kryeministre nga radhët e LDK-së, mbetet të shihet sot se a do të nominohet apo jo nga kryesia e partisë së saj.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se pavarësisht se kush propozohet si kandidatë, është e rëndësishme të ketë unitet.

“Kandidaturë zyrtare ende nuk ka po flitet edhe Vjosa, edhe Kujtimi, edhe Lutfi Haziri, edhe të tjerë. Cilindo që e përcaktojnë, varet nëse hyjnë në votim ose nëse e propozon kryetari. Me rëndësi është të kenë unitet dhe të jenë të pajtueshëm. Tani ata i caktuan disa kritere, por në ato kritere do të ishte e rëndësishme që faktor me qenë uniteti, të mos ketë hatërmbejtje. Pra sot, ose nesër LDK duhet të pajtohet për një kandidat me të cilin do të garojë, pavarësisht a garon e vetme apo në koalicion”, ka thënë ai.

Lexo po ashtu LDK pritet të vendosë sot rreth kandidatit për kryeministër

Sipas tij LDK kandidati që propozohet duhet të mund kundërshtarët e Veselit.

“Unë do të kisha pasur dëshirë që LDK të garojë e vetme, në mënyrë që nëse del e para ta ketë të pakontestueshëm kandidatin për kryeministër. A do të jetë dikush nga gjenerata e re kjo nuk dihet. Por, kandidati duhet të jetë i zotërueshëm ta shtyjë propagandën dhe t’i mund kundërshtarët e supozuar që i ka Kadri Veseli dhe Albin Kurtin, pra kandidatët e partive tjera si Ramush Haradinaj e të tjerët. Këndo që e zgjedhin si Vjosa Osmanin, Kujtim Gashin, Avdullah Hotin, Lufti Hazirin, ose edhe Arben Gashin, duhet me qenë brendapartiak, sepse nëse edhe kësaj here nuk kanë unitet sikur në rastin e Nexhat Dacit, LDK-ja e merr teposhtën dhe ka rënie”, ka theksuar ai.

Kujtojmë se Kryesia e LDK-së të shtunën e kaluar ka lënë të hapur mundësinë që kjo parti të shkojë në koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.
Takimi i strukturave të LDK-së vjen dy ditë pas mbledhjes së parë të Kryesisë së LDK-së të shtunën, në të cilën nuk morën pjesë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ai i Podujevës, Agim Veliu./Telegrafi/

Exit mobile version