Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri thotë se gjendja me pandeminë COVID-19 në komunën që ai drejton është duke u menaxhuar shumë mirë.
Ndonëse dje vdiq një grua 71 vjeçare nga ky rajon dhe u paraqit një rast i ri me COVID-19, Tahiri thotë se kanë marrë të gjitha masat e duhura të gjurmimit për të pasur në kontroll dhe parandaluar përhapjen e coronavirusit.
“Pacientja nga fshati Pestovë u shërua pa infektuar asnjë pacientë tjetër. Asnjë qytetar. Këtë e quaj sukses. Kishim një person që nuk kishte infektuar asnjë person. Falë disiplinës personale dhe masave që i kemi ndërmarrë për të mos lejuar kontakte të këtyre njerëzve. Kemi pas një rast të ndjeshëm në një prej marketeve të Vushtrrisë dhe jam shumë i lumtur që e kemi menaxhuar në mënyrë të shkëlqyeshëm këtë rast. Pa dëmtuar biznesin dhe qytetarët”, tha ai.
I pari i komunës së Vushtrrisë tha për Kosovapress se është i kënaqur sa i përket furnizimit me mjete mbrojtëse niveli qendror.
“Dua të them që deri më tani sa i përket furnizimit me mjete mbrojtëse personale jemi furnizuar tri herë nga Ministria e Shëndetësisë. Ne po ashtu kemi përdorë mjetet tona vet anakë të komunës”, thotë ai.
Duke folur për respektimin e kufizimit të lëvizjes, Tahiri thotë se shumica absolute e qytetarëve vushtrrias janë duke zbatuar vendimin e ri të qeverisë.
“Ne kemi pasur inicim të rasteve kurdo që është konstatuar se janë thyer rregullat ose ka pas kundërshtim të udhëzimeve shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë…shumica absolute në masën 98 për qind të qytetarëve të Vushtrrisë janë treguar mirëkuptues për masat që i kemi marrë deri më tani. Janë respektuar nga qytetarët, marketet dhe bizneset tjera në Vushtrri”, thotë ai.
Krahas kësaj, kryetari Tahiri bëri thirrje që sa më shpejt të funksionalizohet pako emergjente e ekzekutivit.
Sipas tij, ekonomia në Vushtrri tashmë është dëmtuar.
“Tani komuna e Vushtrrisë i lëshon leje për bujqit. Unë dua t’i ftoj bujqit të vazhdojnë të punojnë tokën. Është shumë me rëndësi që mos të kemi asnjë pëllëmbë toke të punueshme të papunuar. Do të na duhet deri në kilogramin e fundit të produkteve bujqësore që i kemi pas coronavirusit. Pasi të kalojë pandemia. Për këtë i ftoj buqit e Vushtrrisë të vazhdojnë të punojnë….unë e kam ftuar kryeministrin që t’i blej patatet e Vushtrrisë për nevojat e rezervat shtetërore”, thotë ai.
Tahiri mes tjerash, u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen e nxënësve të komunës që udhëheq në mësimin online që e ka organizuar Ministria e Arsimit.