Site icon Telegrafi

Tahiri: Në këto zgjedhje, partitë ta masin fuqinë veç e veç

Politologu Ramush Tahiri ka thënë se do të dëshironte që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, partitë politike ta masin fuqinë e votës veç e veç, pa bërë koalicione parazgjedhore.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se rruga më e shkurtër për t’i shpallur zgjedhjet e reja është shpërbërja e Kuvendit.

Tahiri ka thënë se kjo gjë mund të bëhet duke thirrur seancë të jashtëzakonshme.

“Procedura më e shkurtër të cilën e njeh ligji dhe e cila i shkurton të gjitha procedurat e tjera është të thirret seancë e jashtëzakonshme dhe të shpërbëhet Kuvendi, të cilën gjë e premtoi të hënën edhe Kadri Veseli”, ka thënë Tahiri.

Ai ka pohuar se në situatën në të cilën gjendet Kosova, zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje.

Duke folur për ftesën e presidentit për t’i thirrur në konsulta partitë politike, Tahiri ka thënë se Thaçi do të duhej që t’i thërriste në një takim të përbashkët të gjitha partitë në mënyrë që të mos zgjatet procedura për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Nëse dëshiron që çdo ditë ta thërras nga një parti atëherë ai e zgjat procedurën që, edhe po të dojë t’i caktojë zgjedhjet, nuk mundet para muajit tetor”, ka thënë analisti Tahiri.

Exit mobile version