Site icon Telegrafi

Tahiri në Departamentin e Shtetit flet për luftën kundër ekstremizmit 

Në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri është pritur në Departamentin e Shtetit ku ka zhvilluar një takim me Zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit, Jorgan Andrews, njëherësh  përgjegjës në Zyrën Kundër Narkotikëve dhe Çështjeve për Fuqizimin e Ligjit.

Gjatë takimit me Zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit, Andrews, Ministri Tahiri ka folur për angazhimin e institucioneve të rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikimin e narkotikëve, si dhe ka shpalosur rezultatet e arritura në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, rezultate që kanë kontribuar në rritjen e sigurisë dhe në forcimin e pozitës së Republikës së Kosovës në rrafshin e partneritetit rajonal dhe global në luftën kundër krimit të organizuar.

Tahiri ka vlerësuar se Republika e Kosovës çdo ditë po konsolidon pozitën e vet në rang lideri rajonal dhe më gjerë në luftën kundër narkotikëve, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Gjatë takimit, ministri Tahiri ka shpalosur objektivat dhe masat e parapara në Agjendën “Drejtësia 2020” në të cilën janë paraparë masa për modernizimin e Shërbimit Korrektues dhe zhvillimin e programeve për rehabilitimin dhe risocializimin e personave të dënuar, me ç ‘rast ka kërkuar zgjerimin e mbështetjes nga Zyra Kundër Narkotikëve dhe Çështjeve për Fuqizimin e Ligjit.

Ministri Tahiri ka falënderuar Andrews për mbështetjen e Departamentit të Shtetit me theks të veçantë përmes programeve të OPDAT-it dhe ICITAP-it, të cilat janë të angazhuara në programin legjislativ dhe në fuqizimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Po ashtu, Tahiri ka zhvilluar një takim me Drejtoreshën e Zyrës për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Jugore në kuadër të Departamentit të Shtetit, Susan Falatko me të cilën kanë biseduar për zhvillimet politike në Republikën e Kosovës, si dhe për reformat institucionale në sektorin e sundimit të ligjit. /Telegrafi

Exit mobile version