Rrënimi i murit në veri erdhi si rezultat i bisedimeve brenda institucioneve të Kosovës, duke zbatuar në plotni ligjet e Republikës së Kosovës. Kështu tha ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila sjelljet e Serbisë karshi Kosovës në kohët e fundit, i quan të veçanta, negative dhe destruktive.
“Është shumë e rëndësishme, që ky muri ilegal u hoq dje nga ana e institucioneve të shtetit të Kosovës dhe doli si rezultat i bisedimeve brenda institucioneve të Kosovës pra në mes të Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe kryetarit të Mitrovicës Veriore. Po ashtu me këtë rast ashtu siç u zotuam ne si institucione pra hoqëm murin, sipas ligjeve të Kosovës dhe me kujdesin më të madh për ta ruajtur stabilitetin. Mirëpo, sjellja e Serbisë gjatë këtyre dy muajve është krejt e veçantë, është negative dhe destruktive”, ka pohuar Tahiri, në një intervistë për Ekonomia Online.
Marrëveshja për sistemin e drejtësisë në veri, ajo e energjisë dhe e asociacionit të komunave me shumicë serbe, kanë ngelur së zbatuari shkaku i sjelljeve të Serbisë ndaj Kosovës në dy muajt e fundit.
“Ju e dini mirë që janë tri marrëveshje të cilat kanë mbetur të pa zbatuara nga periudha e kaluar dhe këto janë marrëveshja për drejtësi, marrëveshja për energji dhe marrëveshja për Asociacionin, mirëpo dy muajt e fundit ne u ballafaquam me një situatë të veçantë tensionuese që erdhi si rezultat i provokimeve destabilizuese nga Serbia dhe të gjithë këto zhvillime negative bënë që marrëveshjet të cilat prisnin nuk arritën të përparojnë”, tha ajo.
Ministrja Tahiri, vlerëson se serbët po sillen ndaj Kosovës si viktima, duke shtuar se janë ata të cilët duhet të kërkojnë falje për gjenocidin e kryer në Kosovës dhe të ndjejnë përgjegjësi.
“Mendoj se Serbia në këtë periudhë ka dëshmuar një sindrom që zakonisht agresorët e dëshmojnë pas luftërave, fillojnë të sillen si viktima, një sjellje që interpretohet si disonancë mendore vet i bënë provokimet ndaj Kosovës dhe pastaj vet filluan të akuzojnë Kosovën flet për atë që Serbia ende nuk e ka të qartë që duhet kërkuar falje dhe duhet të ndjehet e përgjegjshme për luftë dhe gjenocidin që i ka bërë Kosovës dhe të mos përpiqet të sillet si viktimë që edhe në këto dy muajt e fundit Serbia ishte ajo që provokoi destabilizim prej këtij muri ilegal deri te synimi për të quar një tren provokativ në Kosovë që ishin hedhje bombash mbi institucionet qendrore të Qeverisë të inauguruara në veri e që ishin në bazë të marrëveshjes së Brukselit”.
Por, pavarësisht kësaj thotë se dialogu i nivelit të lartë në Bruksel po sjellë rezultate të qetësimit dhe vazhdimit të dialogut për fqinjësi të mirë dhe paqe për të dyja shtetet.
Tahiri në këtë intervistë për Ekonomia Online ka thënë se vazhdimisht ka kërkuar në Bruksel që Serbia t’i kërkojë falje Kosovës për gjenocidin e kryer.
“Që nga fillimi dialogut unë vazhdimisht e kam kërkuar këtë që Serbia të kërkojë falje ndaj Kosovës , por kjo është kërkuar edhe nga përfundimi I luftës sepse kur përfundon lufta normale është që agresori duhet të pranojë përgjegjësinë dhe të kërkojë falje por deri sot nuk ka pasur ndonjë përgjigje nga pala e Serbisë. Ajo që është me rëndësi është që dialogu po jep fryte dhe do të jep rezultate edhe në të ardhmen”.
Sipas saj, që nga viti 2014 kanë kërkuar që Serbia t’i paguajë dëmet e luftës që i ka bërë në Kosovë, duke shtuar se kjo çështje dhje çështja e të pagjeturve do të jenë pjesë e fazë përmbyllëse të dialogut.