Kordinatori Nacional për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka treguar se Kuvendi i Kosovës ka miratuar projekte kapitale për komunat e Kosovës.
Përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se Qeveria e Kosovës do të vazhdoj që pa dallim të mbështes komunat qoftë përmes vendimeve dhe veprimeve të shpejta që i hapin rrugë zgjidhjes së problemeve të qytetarëve.
“Kuvendi i Kosovës, me shumicë prezentë votoi disa projekte kapitale përmes Kredi nga Unicredit Bank Austria Ag për Projektin e sistemit për largimin e ujërave të zeza për Komunën e Podujevës; për ndërtimit të sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm për Komunën e Ferizajt; për ndërtimin e sistemit të kanalizimit për Komunën e Shtimes; për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit për Komunën e Istogut dhe për ndërtimi i sistemit të furnizimit me ujë për Komunën e Graçanicës”, ka shkruar Tahiri.
“Këto projekte që financohen përmes mbështetjes dhe garancioneve nga Qeveria e Kosovës dhe participimit të komunave, një proces i ri-negociuar pas rrezikut për tërheqje nga kreditori pas kalimit të afatit të shfrytëzimit që nga 2016.
Këto i japin zgjidhje të përhershme çështjes së ujërave të zeza dhe furnizimit me ujë të pijes për disa nga komunat. Efektet e kësaj hapin mundësi jo vetëm në trajtimin e ujërave të zeza; furnizimit dhe zgjerimit të rrjetit të ujit të pijshëm, por edhe në shfrytëzimin më të mirë të ujërave në shërbim të zhvillimit të bujqësisë dhe mbrojtjes së ambientit.
Qeveria e Kosovës do të vazhdojë që pa dallim të mbështes komunat qoftë përmes vendimeve dhe veprimeve të shpejta që i hapin rrugë zgjidhjes së problemeve të qytetarëve duke u dalë në ndihmë komunave për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik pa dallim”, ka shkruar Tahiri, përcjell Telegrafi.