Telegrafi

Tahiri: Me ligjin e ri, asamblistët komunalë nuk janë të detyruar ta deklarojnë pasurinë

Me Ligjin e ri për Deklarimin e Pasurisë, asamblistët komunalë nuk do të jenë të detyruar që ta deklarojnë pasurinë.

Kështu ka bërë të ditur Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i cili kryeson Grupin Punues për pakon e ligjeve anti-korrupsion.

“Sot përfunduan punimet e Grupit Punues për pakon e ligjeve anti-korrupsion, respektivisht Ligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe Ligjit për Deklarimin, Kontrollin, Prejardhjen e Pasurisë dhe Dhurata”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Risi tjetër ka thënë se është edhe se delarimi do të bëhet në formë elektronike, duke lehtësuar dukshëm deklarimin dhe kontrollin.

“Asamblistët komunalë nuk kanë detyrimin për të deklaruar pasurinë. Do të ketë kontroll të plotë të deklarimeve periodikisht, varësisht prej pozitës së zyrtarit publik. Do të rritet transparenca, me ç‘rast deklarimet e të gjitha subjekteve deklaruese do të bëhen publik”, ka shkruar tutje Tahiri.

Në fund, ai ka bërë të ditur se me ligjin e ri, Agjencia kundër Korrupsion do të ketë kompetenca gjobëvënëse.

“Agjencia mvishet me kompetenca gjobëvënësve, me theks në provimin e qëllimit të zyrtarit për të mos deklaruar apo për të deklaruar rrejshëm, si element i veprës penale”, ka përfunduar Tahiri.

Deklarimi i pasurisë nga personat publikë në Kosovë ka filluar qysh në vitin 2007.

Ligji për deklarimin e pasurisë i obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri dhe pastaj në baza vjetore.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Projektligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollimin e pasurisë dhe të dhuratave, nëpërmjet të cilit listës së zyrtarëve publikë i janë shtuar zyrtarisht edhe mjekët dhe profesorët. /Telegrafi/