Në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seancë solemne në nder të 16-vjetorit të Pavarësisë.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se sot është ditë feste për të gjithë, transmeton Telegrafi.
“Pavarësia është akti që na bashkoi të gjithëve, të gjithë ishim një në këtë rrugëtim. Ata që dhanë jetën për këtë vend, ne që po kemi fatin ta jetojmë, dhe brezat që do të vijnë pas neve”, tha ai.
Tahiri tha se në vitet e 90’ta, Kosova u përballë me shumë sfida, ku përmendi largimin e shqiptarëve nga vendet e punës, mbylljen e universiteteve, etj.
E, gjithë situata kulmoi me fillimin e luftës, ku u vranë mijëra shqiptarë.
“Në vitin 1998-1999, një luftë që la pasoja të mëdha mbi 1 milion shqiptarë u dëbuan me dhunë nga Kosova, gjysma tjerë u ngujuan me forcë. E, qindra, mijëra të vrarë”.
“Ky shtet i ndërtuar me mund, ka nevojë më shumë për unitet politik, sepse nuk kemi vend tjetër. Lavdi të gjithë atyre që dhanë jetën për liri. /Telegrafi/