Site icon Telegrafi

Tahiri: Kuvendi t’i rekomandojë ZRrE-së uljen e çmimit të rrymës

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka pyetur qeverinë se si është e mundur që faturat e rrymës të vijnë me çmime aq të larta kur një megavat vitin e kaluar në tregjet ndërkombëtare ka mundur të blihet dy herë më lirë.

“Si Kuvend kemi thirr një seancë të jashtëzakonshme me një temë e një kërkesë që opozita e adreson te ky Kuvend, e që ndërlidhet me një përgjigje që ne duhet ta japim si Kuvend i Kosovës a mendojmë që çmimi i energjisë elektrike është i lirë apo i shtrenjtë”, ka thënë Tahiri në foltoren e Kuvendit.

Ai po ashtu tha që si Kuvend duhet të rekomandojnë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë uljen e çmimit të rrymës.

Si Kuvend i Kosovës a duhet që t’i rekomandojmë një Institucioni Kushtetues ZRrE-së, qeverisë, për uljen e çmimit të energjisë duke e ditur që ky çmim është çmimi më i lartë që paguan qytetari i Kosovës në historinë e vet e po ashtu duke e ditur që në tregjet ndërkombëtare çmimi i blerjes së një megavati është më i lirë dy herë më shumë se në vitin që shkoi”.

“Pyetja ime për ju deputetë është: Qysh ka mundësi? A ka najkush që e shpjegon në këtë qeveri se sa është i rëndësishëm ky debat, shihet edhe prezenca e qeverisë me një ministër. Po a ka dikush që e shpjegon se qysh ka mundësi me e ble një megavat këtë vit dy herë ma lirë se para dy vjetësh e çmimi me qenë ma i shtrenjtë? Mbi çfarë baze është ky çmim i energjisë elektrike për konsumatorë, për qytetarët e Kosovës kur dihet që ka një marrëveshje sa kushton, sa i jep KEK-u çmimin KEDS-it?”, pyeti ai.

“Qysh ka mundësi të nderuar deputetë që njëri ndër premtimet kryesore me të cilat ju keni ardh në këtë qeveri dhe në këtë pushtet ka qenë që ta zbrisni çmimin e energjisë elektrike, bile kryeministri thoshte, po e citoj, ‘ne paguajmë shumë shtrenjtë duke pasur parasysh që flemë mbi qymyr’. Këtë e ka thanë kryeministri i Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Exit mobile version