Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se kërkesa e tyre për tërheqjen e kursimeve nga Fondi Pensional do të shqyrtohet për në seancën e javës së ardhshme.
Ai me anë të një konference ka thënë se kjo po bëhet pas disa vonesave në Kuvend.
“Çështja dytë ju e dini që ne si PDK e kemi marr një iniciativë për ri sjelljen e Ligjit të Trustit në Kuvendin e Kosovës. Që t’i tërheqin një pjesë të tyre, kanë ndodhur disa vonesa, ashtu siç jeni informuar që komisioni do ta trajtoj nesër këtë projektligj. Ne kemi vendosur që për shkak të mostrajtimit në kohën e duhur t’i japim kohë dhe këtë javë edhe javën tjetër”, tha Tahiri.
Një muaj më parë, kryeministri Albin Kurti ishte deklaruar kundër tërheqjes së kursimeve nga Trusti, duke thënë se “kjo nuk është zgjidhje”.
“Kemi thënë edhe shumë më herët, kur ishim në opozitë edhe tani, me Pakon e Ringjalljes Ekonomike do ta zbusim krizën. Por, nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve mund ta zgjidhim problemin. Edhe dy ekspertë të FMN-së e kanë dhënë vlerësimin se, një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje”, ka deklaruar Kurti.
Deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu në emër të Grupit Parlamentar më 9 mars pati dorëzuar në Kuvend, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.
Kujtojmë se një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në fund të vitit 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19. Në raportin e gjashtëmujorit të parë të 2021-së, Trusti ka njoftuar janë tërhequr rreth 200 milionë euro nga më shumë se 427 mijë kontribuues. /Telegrafi/