Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka kundërshtuar një propozim të Qeverisë, përmes së cilit ekzekutivi lejonte hyrjen e mallrave nga Serbia dhe Bosnja, që janë në Doganën e Kosovës.
Tahiri konsideron se propozimi për ndryshimin e regjimit të taksës 100 % për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është selektiv.
“Në mbledhjen e Qeverisë kam kundërshtuar propozimin për ndryshimin e regjimit të taksës prej 100% për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Çdo vendim selektiv ndaj regjimit të taksës për këdo që i referohet, është në kundërshtim me parimin e taksës së vendosur në emër të Republikës së Kosovës, si entitet i të gjithëve” ka shkruar Tahiri në Facebook, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, taksa e vendosur unanimisht, duhet të vlejë për të gjithë njësoj, dhe jo të dekurajoj prodhuesit vendor apo të nxis kalimin ilegal të mallrave.
“Çdo vendim selektiv ndaj regjimit të taksës, është dekurajues për prodhuesit vendor dhe nxitje për kalim ilegal të mallrave. Kushti i parë i sundimit të ligjit është barazia, prandaj taksa e vendosur unanimisht, vlen dhe duhet të vlejë për të gjithë njësoj. Andaj, unë e kundërshtoj fuqishëm një vendim të tillë selektiv ”, ka deklaruar Ministri i Drejtësisë.